Krasniqi kërkon të festohet në shtëpi: Shumë pacientë në spitale po kalojnë momente të vështira

13:52 | 31 Korrik 2020

Krasniqi: Qindra pacientë në spitalet tona po kalojnë momente të vështira në përballje me COVID-19.

Drejtori i SHSKUK-së, njëherit infektolog, Valbon Krasniqi, ka bërë apel tek qytetarët që për festën e Bajramit t’i respektojnë drastikisht masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Krasniqi me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova po kalon në një situatë “shumë, shumë të rëndë” me pandeminë e koronavirusit, shkruan lajmi.net.

Ai ka lutur qytetarët që të festojnë në familjet e tyre.

Po ashtu, Krasniqi u ka shprehë ngushëllime që kanë humbur familjarët e tyre si pasojë e COVID-19.

Postimi i plotë:

Festë në kohë pandemie

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovēs

Jemi duke kaluar nëpër situatë shumë, shumë të rëndë me pandeminë COVID-19. Me qindra pacientë nëpër spitalet tona janë duke kaluar momente të vështira në përballje me Koronavirusin, ndërkohë që shumë të tjerë tashmë kanë humbur jetën.

Andaj, edhe sot, në ditën e Festës së Kurban Bajramit jemi të detyruar të ju bëjmë thirrje sërish për kujdes.

Ju lus të festojmë në familjet tona, të qëndrojmë pranë familjeve tona.

Duke ngushëlluar të gjitha ata që humbën familjarët e tyre, duke ju uruar shërim të gjithë të sëmurëve nga COVID-19 dhe nga sëmundjet e tjera, ju uroj Festën e Kurban Bajramit gjithë besimtarëve islamë.

Festoni në shtëpi

Shmangni vizitat jashtë familjeve tuaja

Mbani maskat sa herë dilni nga shtëpitë

Mbani distancën fizike

Pastroni dhe dezinfektoni duart rregullisht.

Dhashtë Zoti që festat tjera t’i presim në ditë më të mira.

Komento: