
81 premtime për Prishtinën, vetëm 24 i realizoi Shpend Ahmeti.
Instituti GAP ka mbledhur 81 premtime të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku vetëm 24 prej tyre janë të përfunduara, 8 gjysmë të përmbushura, 25 të filluara dhe 24 prej tyre nuk kanë filluar fare të realizohen.
Në bazë të raportit të institutit, disa nga premtimet e realizuara të Ahmetit janë: vendosja e E-kioskave nëpër bashkësi lokale, prokurimi elektronik me qasje edhe për qytetarët, themelimi i Drejtorise së Parqeve, menaxhimi i fushave të sportit nga kompania “Sport Marketing”, themelimi i ndërmarrjes publike “Kuzhina Qendrore”, ndërtimi dhe hapja e 4 çerdheve të reja ne vitin 2018 në Kalabri, Kolovicë, Bardhosh dhe Prishtina e re, testimi me shkrim i kandidatëve për mësimdhënës etj.
E fushat me më së shumti telashe e të cilat edhe janë lënë anash për kah realizueshmëria e premtimeve janë infrastruktura, shëndetësia dhe urbanizmi.
Në fushën e infrastrukturës, nga 22 premtime të dhëna, ka realizuar vetëm 5 prej tyre, ndërsa në shëndetësi e urbanizëm nuk ka realizuar asnjë premtim të dhënë.
Ahmeti ishte kandiduar për të dytën herë nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, për pozitën e të parit të kryeqytetit, shkruan Reporteri.net.
Ai arriti që ta mbajë këtë pozitë edhe për një mandat tjetër, ndonëse me një rezultat tejet të ngushtë në balotazh me rivalin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashin.
Në fund të procesit zgjedhor, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes ka marrë 42.262 vota ndërsa Arban Abrashi i LDK-së ka marrë 41.897 vota, që i bie vetëm 365 vota diferencë mes tyre.