Ministri Likaj: I vështirë vendimi për kthimin në shkolla

12:06 | 18 Shtator 2020

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohet rreth situatës në arsim në kohë pandemie.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në adresimin e tij para deputetëve ka folur për përgatitjet që ka bërë ministria për fillimin e vitit të ri shkollor.

Sipas tij vendimi për të nisur mësimi në kushtet aktuale ka qenë shumë i vështirë, transmeton KOHA.

“Ishte shumë vështirë për të vlerësuar dhe vepruar, duke parë dinamikën dhe ndikimin që ka situata me virus në shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë”, është shprehur Likaj.

Megjithëkëtë sipas tij, duke parë rëndësinë e kthimit në shkolla, vendimi për hapje ka qenë i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Ne emër të deputetëve të LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se me pandeminë është duke u ballafaquar e gjithë bota dhe se ka edhe shtete të tjera që kanë shtyrë fillimin e vitit shkollor, edhe pse sipas saj janë shtete të konsoliduara.

Sipas saj në këtë sfidë ministria duhet të mbështetet nga të gjithë.

“Sot duhet t’i japin mbështetje pozite dhe opozitë, Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që të kalohet kjo sfidë e cila është globale. Larg betejave politike dhe inateve në të kaluarën”, është shprehur Bunjaku.

Sipas saj fillimi i vitit shkollor në shumicën e komunave ka ecur mirë, me përjashtim të komunës së Kamenicës.

Komento: