Merret vendimi për Shukri Bujën, avokati thotë se ky vendim do të prishet

21:10 | 18 Shtator 2020

Shukri Buja dënohet me dy vjet ndalim, avokati thotë se ky vendim do të prishet.

Pala mbrojtëse e ish-kryetarit të Lipjanit ka thënë që në vendim kishte shkelje procedurale.

Për rastin e tij u shpall edhe një aktgjykim tjetër.

Kjo pasi që vendimin e vitit 2018 që ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja të dënohet me tre vjet heqje lirije e kishte anuluar Gjykata e Apelit.

E këtë rast e ka trajtuar edhe një herë Gjykata Themelore në Prishtinë.

Veçse kësaj radhe Shukri Bujën e ka dënuar me një vjet më pak ndalim.

Buja është gjetur fajtor për veprën penale keqpërdorim detyre, ndërsa duhet t’ia kompensojë Komunës së Lipjanit rreth 79 mijë euro në formë kompensimi për dëmin që ia ka shkaktuar.

E dënimin që atij iu shqiptua e bëri të ditur, avokati mbrojtës i Bujës, Arianit Koci.

Por Koci shprehet i bindur se ky vendim prapë do të anulohet pasi që thotë se ka shkelje të natyrës procedural.

Avokati po shprehet se Bujës ju ka mohuar edhe e drejta e mbrojtjes.

Buja akuzohej për rastin e njohur si “Feronikeli”, ndërsa bashkë me të janë dënuar edhe 4 persona të tjerë me nga 6 muaj ndalim.

Ish-kryetari i Lipjanit akuzohej se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë.

Komento: