Ministri Selimi: S’ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa përfunduar çështja e të pagjeturve

11:06 | 07 Tetor 2020

Selimi: S’ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa përfunduar çështja e të pagjeturve.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se pa përfundimin e temës së të pagjeturve në dialogun Kosovë-Serbi nuk ka marrëveshje përfundimtare.

“Ne jemi deklaruar se çështja e të pagjeturve do të jetë e para që do të diskutohet, pa të cilën s’do të ketë marrëveshje përfundimtare. Gjatë tri takimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh në Bruksel janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj çështjeje. Në marrëveshjen në Bruksel parashihet të krijohet komision i përbashkët që do të udhëhiqet nga një përfaqësues i BE-së dhe që do të jetë përgjegjës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne dyshojmë se në Serbi ka ende trupa të pagjetur dhe jemi të angazhuar për këtë çështje në vazhdimësi”, njofton Klan Kosova.

Po ashtu, në Komision ka folur edhe Ibrahim Makolli, përfaqësues për të pagjeturit në dialog, tha se në tre takimet në Bruksel për personat e pagjetur kemi diskutuar që kjo të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Nuk është nënshkruar asnjë dokument, sepse nënshkrimi vetëm do të jetë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Të zhdukur janë 1640 persona, për të cilët Kosova ka emra dhe fakte për ta”.

Për mospjesëmarrjen e kryeministrit Hoti, që ishte i ftuar në raportim, reaguan deputetët anëtarë të Komisionit.

Fjolla Ujkani nga Vetëvendosje pyeti se refuzimi i ftesës së tij a i bie që kjo temë e rëndësishme po neglizhohet nga i pari i ekzekutivit.

Ndërsa, Besa Ismaili nga PDK tha se ka zëvendës të Hotit që thonë se kjo temë është konsumuar.

Komento: