
Vlora Çitaku e kërkoi vetë lirimin nga detyra si ambasadore në SHBA.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e Vlora Çitakut nga pozita e ambasadores në Washington.
Klan Kosova mëson se lirmin nga detyra e ambasadores së Kosovës në SHBA e kërkoi vetë Vlora Çitaku.
Në letrën që Çitaku i ka dërguar presidentit Hashim Thaçi, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, ajo nuk ka dhënë arsyet për një veprim të tillë.
“Për më shumë se pesë vite, ka qenë nderi i jetës time që të përfaqësoj Republikën e Kosovës në SHBA. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet e Kosovës për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë mua dhe Ambasadës së Kosovës në SHBA ndër vite”.
Çitaku ka deklaruar se është e gatshme që të qëndrojë në detyrë për një periudhë kohore, derisa të bëhet zëvendësimi i saj.