
Hoti i thur lavde Policisë pak ditë pasi e shkarkoi Rashit Qalajn.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pasur fjalë të mira për Policinë e Kosovës dhe performancën e tyre, pak ditë pasi e shkarkoi nga kreu i këtij institucioni tash ish-drejtorin Rashit Qalaj, raporton Gazeta Express.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka organizuar sot një ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, duke iu referuar statistikave të fundit, ka thënë se ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe, sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve.
“Trafikimi me njerëz është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut. Prandaj parandalimi është prioritet i Qeverisë pasi kjo i lëkund themelet e shoqërive demokratike – në fakt vazhdon të jetë problem edhe në vendet e zhvilluara perëndimore”.
“Padyshim se trafikimi me njerëz i lëndon vik’timat, i dëmton ekonomitë tona dhe forcon kr’imin e organizuar. Ekziston një kornizë e plotë ligjore për luftimin e kësaj dukurie. Parandalimi i këtij kr’imi duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi. Kapaciteti ynë veprues duhet të avancohet në përputhje me zhvillimet e reja”.
“Referuar statistikave të fundit, ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe sigurisht se kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve”.
“E përgëzoj Policinë e Kosovës dhe të gjitha strukturat që kanë qenë të përfshira në luftimin e kësaj dukurie”.
“Është e nevojshme ta kemi një koordinim të plotë institucional për ta luftuar këtë dukuri. Përtej këtij bashkëpunimi të brendshëm, nevojitet edhe bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar”, ka thënë Hoti.
Këto deklarime të Hotit vijnë vetëm pak ditë pas shkarkimit të Qalajt që siç ka raportuar Express ka ndodhur për shkak të performancës së dobët.