Anëtarët e komisionit i përplas pyetja e Muratit, Beqaj: Mund të vini në fakultet për ligjërata

14:20 | 20 Tetor 2020

Pyetja e Muratit i përplas anëtarët e komisionit, Beqaj: Mund të vini në fakultet për ligjërata.

Një pyetje e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Muratit për ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka shkaktuar përplasje në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Pasi Beqaj disa herë gjatë raportimit tha se është për privatizimin e aseteve shtetërore, duke e përmendur ekonominë e lirë të tregut, Murati e pyeti atë se çfarë kupton me treg. Kjo pyetje e ka nervozuar deputetin e PDK-së, Sejdi Hoxhën, i cili ka ndërhyrë duke e pyetur deputetin e LVV-së se çfarë lidhje ka kjo me procesin e privatizimit, raporton Gazeta Express.

“E përmendët disa herë çështjen e ekonomisë së tregut të lirë. Meqenëse jeni edhe profesor, çka konstituon tregu sipas jush? Çka quajmë treg?”, e pyeti Murati ish-ministrit, ndërsa menjëherë ndërhyri deputeti i PDK-së.

“Çfarë relevance ka kjo me privatizim bre? A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”, tha Hoxha, duke shtuar se “profesor Beqaj na mban ligjëratë për këtë punë”.

Në përgjigje, ish-ministri Besim Beqaj tha se mund të shkojnë në fakultetin ku ai ligjëron, anëtarët e këtij komisioni që s’e dinë se çfarë është ekonomia e tregut.

“Besoj që të gjithë duhet ta dini se çfarë është ekonomia e tregut. Për të gjithë ata që nuk kanë njohuri bazike për ekonominë, mund të vijnë në fakultet për ligjërata”, tha Beqaj.

Pas kësaj, kryesuesi i komisionit, Hajrulla Çeku ia tërheqi vërejtjen ministrit se po përdor gjuhë fyese ndaj deputetëve.

“Gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme. Kështu që po ua tërheq vërejtjen një here. Mos më detyroni ta bëj”, tha Çeku.

Ndërsa kur e mori fjalën sërish, deputeti Hekuran Murati tha se pyetja e tij ishte retorike.

“Pyetja ishte retorike. Nuk është që nuk e dime, por pyetja ishte retorike meqenëse dua të arrijmë në një konstatim për të pare nëse ju e keni kuptuar si duhet çështjen e tregut”, tha Murati.

Komento: