Nuk po i respektojnë masat anti-COVID qytetarë të shumtë para Komunës së Prishtinës

14:12 | 06 Nëntor 2020

Qytetarë të shumtë presin para Komunës së Prishtinës, nuk po respektojnë masat anti-COVID.

Para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës është parë radhë e gjatë e qytetarëve teksa presin për shërbime, por që nuk po respektojnë masat parandaluese për përhapjen e coronavirusit, siç është distanca fizike prej 2 metrash e as mbajtjen e maskave mbrojtëse.

Një qytetar ka publikuar disa fotografi në grupin “Network Prishtina” në Facebook, ku edhe e akuzon kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, se ka dështuar me tatimet në pronë, shkruan Reporteri.

Në fotografitë e publikuara nga Tanzer Abazi shihet edhe gjendja jo e mirë e dezinfektuesve të vendosur në hapësira publike.

Kujtojmë që komuna e Prishtinës është aktualisht më e goditura nga pandemia me numrin më të lartë të infektimeve në Kosovë.

Vetëm gjatë ditës së djeshme sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është bërë e ditur se janë konfirmuar 324 raste pozitive vetëm në kryeqytet nga 661 në nivel vendi.

E si pasojë e rritjes së rasteve të reja pozitive, po rekomandohet edhe mbyllja e Prishtinës, por që vendimi nuk është marrë ende.

Komento: