Nuk tregojnë se a janë pishman dy deputetë e VV-së që e kanë votuar Specialen

10:18 | 19 Nëntor 2020

Dy deputetët e Kurtit s’tregojnë a janë pishman që e kanë votuar Specialen.

Shpejtim Bulliqi dhe Labinotë Demi-Murtezi janë dy deputetët e vetëm aktualë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilët në vitin 2015 kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, që LVV e konsideronte se “i barazon mizoritë e Serbisë me luftën e drejtë të UÇK-së”.

Gazeta Express për dy ditë ka provuar të kontaktojë me dy deputetët, të cilët nuk kanë dashur të flasin nëse janë bërë pishman për votën e tyre, apo nëse konsiderojnë se ka qenë vendim i duhur.

Bulliqi, që është edhe kandidat i LVV-së për kryetar të Podujevës, të martën ka thënë se s’ka kohë të përgjigjet duke u arsyetuar me seancën e Kvuendit të Kosovës, ndërsa dje është përgjigjur më ndryshe.

“A ke naj pyetje tjetër? Ditën e mirë”, ka thënë Bulliqi duke e ndalur telefonin.

Ndërsa deputetja Labinotë Demi-Murtezi të martën nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se “kjo aktualisht është çështje e ndjeshme”, ndërsa dje telefoni i saj nuk ka qenë i qasshëm. Ajo, sikurse edhe Bulliqi, nuk është përgjigjur as në pyetjet me shkrim që i janë dërguar.

Labinotë Demi Murtezi në atë kohë kishte qenë pjesë e Partisë së Dretjësisë (PD) dhe deputete në grupin e përbashkët parlamentar me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ndërsa Bulliqi ishte deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

LVV ka qenë subjekti më i zëshëm politik kundër Gjykatës Speciale. “Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovë”, thoshte Vetëvendosje në një kumtesë të vitit 2015.

LVV gjithashtu kishte mbështetur një protestë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-s atë vit. Protesta ishte thirrur për ta kundërshtuar votimin e Gjykatës Speciale, në të njëjtën kohë kur në Kuvendin e Kosovës do të sillej amandamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të kësaj gjykate.

Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar.

Komento: