Ministri Selimi: Shërbimi Korrektuese i Kosovës hallka kyçe e sistemit të drejtësisë

16:15 | 27 Nëntor 2020

Selimi: Shërbimi Korrektuese i Kosovës hallka kyçe e sistemit të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me ç ’rast ka thënë se ky institucion është një nga hallkat kyçe dhe shumë të ndjeshme të sistemit të drejtësisë.

“Që nga nisja e deri në këtë 21-vjetor Shërbimi Korrektues, i cili filloi punën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të vazhduar tutje me hapjen e qendrave tjera, duke numëruar sot gjithsej 10 institucione, është profesionalizuar dhe ka arritur të jetë në hap me standardet e shërbimeve korrektuese perëndimore”, deklaroi Selimi.

Ai tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit duke u fokusuar në rritjen e efikasitetit të mekanizmave të sistemit juridik, e në këtë drejtim edhe në modernizimin e SHKK-së.

“Në politikat ndëshkimore, vendi ynë angazhohet për mbrojtje të të drejtave të njeriut, sigurimin e trajtimit të barabartë dhe dinjitoz, si dhe për ri-integrim të suksesshëm në shoqëri të personave që kryejnë dënimin. SHKK-ja sot mund të krenohet me të arriturat e saj në fushën e trajtimit të të burgosurve që është mision i saj, si dhe me stafin profesional dhe të përkushtuar në radhët e saj, që çdo ditë iu dalin në ndihmë të gjithë të burgosurve që trajtohen në institucionet korrektuese”, shtoi Selimi

Ministri i Drejtësisë po ashtu shprehu mirënjohje ndaj drejtorit Thaçi dhe stafit te SHKK-së, për menaxhimin e shkëlqyer dhe përballje me pandeminë. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe miqtë ndërkombëtar që ndihmuan në ngritjen e infrastrukturës dhe standardeve të larta profesionale në SHKK përgjatë këtyre viteve.

“Me rastin e ditës suaj, dëshiroj të shpreh përkushtimin tim si Ministër, që të avancojmë më tutje pozitën e SHKK-së përmes Ligjit për Shërbimin Korrektues dhe Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, të cilët janë në procedurë për shqyrtim dhe miratim e që kanë për qëllim rregullimin e statusit të zyrtarëve të SHKK-së”, tha ai

Komento: