Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka marrë vendim që më 29 nëntor, pra nesër të lejojë qarkullimin e qytetarëve deri në orën 22:00 në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim, për ata që votojnë pas orës 19:00 në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.
Në vendimin e nënshkruar nga ministri Veliu thuhet se “lejohet lëvizja hyrje-dalje në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim, për shkak të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, gjatë orarit 19:00 deri në orën 22:00 për votuesit në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të realizimit të drejtës së tyre për votim”.
“Liria e lëvizjes sipas pikës 1 të këtij vendimi lejohet vetëm me datë 29.11.2020, dhe vlen vetëm për ata votues që të drejtën për votim e kanë realizuar pas orës 19:00, sipas rregullave dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
“Poashtu, është marrë vendim për lejimin e lëvizjes hyrje-dalje në të gjitha zonat e ndaluara për qarkullim, për shkak të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, gjatë datave 28.11.2020 dhe 29.11.2020 gjatë orarit 19:00 deri në orën 05:00 për stafin esencial të KQZ-së, stafin zgjedhor dhe vëzhguesit e akredituar, me qëllim të kryerjes së detyrave të tyre për përgatitjen finale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës dhe Komunën e Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.