Hoti tregon se kur mund të mbahet tryeza e partive për çështjen e presidentit.
Kryeministri Avdullah Hoti, ka më shumë se një muaj që ka përmendur mbajtjen e një tryeze me të gjitha partitë politike, për çështjen e presidentit.
Ai ka thënë se pret që ditët në vazhdim të zhvillohet një takim mes partive politike, ku do të diskutohet lidhur me këtë çështje.
“Sa i përket kësaj tryezës, po pres që të dakordohemi që të caktojmë datën, sepse ende s’është caktuar kjo datë. Presim që ditët e ardhshme pasi s’është çështje urgjente”, theksoi Hoti.
Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe mbrëmë insistoi se ai është personi i duhur për president dhe se partia e tij nuk mbështet kandidat tjetër, kryeministri Avdullah Hoti, tha se partia e tij nuk ka folur për emra.
“Nuk ka dakordim as për emrin e tij, as për një propozim tjetër, kjo nuk është diskutuar”, ka thënë Hoti në Pressing në T7, shkruan Reporteri.net.
Hoti ka thënë se nëse nuk ka vullnet për zgjedhjen e presidentit, atëherë zgjedhjet e reja janë përpara.
Kujtojmë se nga dita që Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, është kryekuvendarja, Vjosa Osmani e cila është vendosur në ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës.
Mandati i presidentit të vendit pritet të përfundojë në prill, dhe mbetet të shihet deri në këtë kohë nëse do të ketë një marrëveshje mes partive për presidentin apo jo.