RTK-ja ka paguar nëntë mijë euro në muaj për internet!

12:25 | 09 Dhjetor 2020

Bazuar në një raport financiar të Radio Televizionit të Kosovës, kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Hekuran Murati, ka thënë se televizioni publik ka shpenzuar nëntë mijë euro në muaj për internet.

Në raportimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së Ngadhnjim Kastrati, Murati ka thënë se në RTK janë rreth 900 punëtorë, por ka shpenzime shumë të larta për blerje të programeve. Bazuar në këtë raport, Murati ka thënë se 117 punonjës në RTK kanë paga mbi një mijë euro në muaj.

“Menaxhim skandaloz financiar dhe nuk di si mund të quhet raporti apo menaxhimi i mirë. Me të gjitha këto unë nuk mendoj që duhet të votohet apo të rekomandohet për votim ky raport sepse nuk i plotëson kriteret”, ka thënë ai.

Në raportin e dorëzuar në Kuvend, theksohet se shpenzimet për program për vitin 2019 ishin 3 milionë e 676 mijë euro, apo rreth 50 mijë më shumë se planifikimet.

Në anën tjetër, Kastrati ka thënë se të gjitha shpenzimet ishin të planifikuara.

“Jemi munduar në mënyrën më të mirë të mundshme të menaxhojmë me paranë publike. Ajo që mendoj unë është se jam munduar që ta stabilizojmë gjendjen financiare dhe te kjo pikë besoj ia kemi arritur”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ndërkaq, Sokol Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së ka thënë se “janë shkëputur disa kontrata për disa emisione që nuk kanë pasur shumë ndikim edukativ”.

Anëtarët e komisionit paraprakisht përkrahën raportin financiar të RTK-së dhe u deklaruan se do ta votojnë në Komision.

RTK-ja kishte të hyra nga buxheti gati 12 milionë euro, ndërsa 1.2 milionë nga marketingu.

Komento: