Tahiri për ish-konsullin Shala: Kishte përgatitje por ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës

12:11 | 10 Dhjetor 2020

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli kanë debatuar lidhur me punësimet partiake në vend.

Pacolli ka përmendur rastin e emërimit të Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, në postin e konsullit në Pragë. Ajo ka thënë se shërbimi i jashtëm është shfrytëzuar për pazare të partive politike. Ndërkaq në mbrojtje ish-konsullit Shala, i ka dalë Tahiri. Ai ka thënë se i njëjti ka pasur përgatitje profesionale porse sipas tij, fatmirësisht ose fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i deputetit Haxhi Shala.

“Sa i përket rastit konkret unë e kuptoj që edhe opozita sikurse diskursi publik është shumë i ngarkuar, i hidhëruar me procesin e nepotizimit që po ndodhë tash e 20 vjet. Por mos të harrojmë se shumë fëmijë të politikanëve të cilët kanë aftësi profesionale janë të anatemuar kur flas për punësimet në sektorin publik. Aq shumë është i ngarkuar diskursi publik saqë pa marrë parasysh përgatitjen po të hyjë në punë një fëmijë i politikanit edhe po të jetë më i miri nesër do të thonë se ka hyrë me të njohshëm. Rasti në fjalë ka përgatitje por fatmirësisht apo fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se nuk janë të pakta rastet e shërbimit kur një votë e një deputeti është shkëmbyer me pozitë në shërbimin e jashtëm.

“Ministrja e Jashtme i ka rekomanduar presidentit të dekretojë djalin e Haxhi Shalës për konsull në Pragë. Më 28 tetor Thaçi e ka nënshkruar dekretin e rekomanduar nga ministrja. Shërbimi i jashtëm është shfrytëzuar për pazare të këtyre partive politike. Edhe emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala është pjesë e pazareve politike. A ka qenë pikë e marrëveshjes së koalicionit që të dërgohet djali i Haxhi Shalës për konsull. Pra a është diskutuar mes Nismës e LDK-së që të emërojnë këtë konsull dhe Nisma t’i jap votat për Qeverinë”, ka pyetur ajo.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka shpjeguar procesin e emërimit të konsujve në shërbimet e jashtme.

“Secili emërim i konsujve edhe këtë vit si të gjitha vitet paraprake është propozuar në përputhje me dispozitat ligjore. Ligji në fuqi për shërbimin demokratik përcakton qartë procedurën e emërimit dhe është e drejtë ligjore e ministrit të jashtëm t’i rekomandojë presidentit për emërimin e konsujve të përgjithshëm. Legjislacioni i aplikueshëm e njeh mundësinë e emërimit të shefave të misionit përmes çelësit politik sipas kuotës jo më shumë se 50% . Ligji e njeh edhe misioni konsullor. Sipas praktikës së deritanishme në shërbimin jashtëm kanë shërbyer si shefa të misioneve konsullore po ashtu edhe njerëz me çelës politik. Në këtë kontekst shefat e misioneve hynë në kuadër të kuotës dhe të çelësit politik apo të atyre të karrierës”, ka thënë ajo.

Komento: