Osmani flet sërish për Walkerin: Do ta thellojë bashkëpunimin

23:26 | 11 Dhjetor 2020

Vjosa Osmani flet sërish për Walkerin, tash thotë se do ta thellojë bashkëpunimin.

Edhe pse para kamerës ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se ka skaduar dhe nuk do të vazhdojë kontrata me Fondacionin “Walker”, ajo tash thotë se do ta thellojë bashkëpunimin me ish-ambasadorin Willian Walker.

Osmani gjithashtu thotë se datat nuk kanë rëndësi edhe pse Osmani shprehej e bindur para kamerës se kontrata ka skaduar. Ani pse kontrata do të skadonte me 31 dhjetor.

“E kam sqaruar të vërtetën edhe në media, si dhe me kamerë, po ashtu edhe më shkrim. Nuk bëhet fjalë për shkëputje, ka qenë skadim. Ne qysh në nëntor, më 17 nëntor, kemi shprehë gatishmërinë si kabinet i ri, përmes shkrimit, për ta thelluar bashkëpunim dhe për ta bërë më konkret dhe më të mirë me Fondacionin Walker. Tash e tutje, edhe direkt me ambasadorin Walker, unë sonte kisha një bisedë me të dhe dy ekipet tona janë në kontakt për ta konkretizuar bashkëpunimin. Në çdo deklaratë kam përdorur fjalën skadim dhe jo shkëputje. Data nuk ka rëndësi, ajo çka ka rëndësi është se unë kam fole për skadim”, është shprehur Osmani.

Pas reagimeve të shumta që nuk është vazhduar kontrata me Fondacionin “Walker”, ajo tash arsyetohet duke thënë se çështja e kontratës është punë e administratës dhe jo e presidentes.

“Unë kam thënë që ka skaduar kontrata. Mua më kishte ardhur informata se ka skaduar kontrata për shkak se me datën 1 nëntor palët kanë diskutuar rreth skadimit. Meqenëse e kisha këtë informatë dhe meqenëse unë si presidente nuk merrem me kontrata por është detyrë e administratës, unë ia dhashë informatën që ia kisha marrë lidhur me datë ne skadimit, pastaj e sqarova edhe me shkrim, ne kemi shprehur interesimin dhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Walkerin”, ka thënë Osmani.

Ky është momenti kur Vjosa Osmani thotë se “Ka skadu kontrata dhe nuk e kemi vazhdu. Ka skadu, nuk është më në fuqi kontrata. Pra, nuk e kemi vazhduar”.

Komento: