Komuna e Malishevës akuzon IKSHPK për gabime për numrin e rasteve me Covid-19

19:52 | 12 Dhjetor 2020

Komuna e Malishevës pretendon se IKSHPK-ja ka gabuar me shifrat e koronavirusit.

Shtabi Emergjent i Komunës së Malishevës është duke u ankuar për kategorizimin e saj në zonën me rrezikshmëri mesatare të përhapjes së koronavirusit. Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Komuna e Malishevës shkruan se ky kategorizim është gabim edhe në shifrat e publikuara nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Shtabi Emergjent Komunal në Malishevë, pas shqyrtimi të situatës me covid-19 dhe grumbullimit të të dhënave të sakta për numrin e infektimeve gjatë javës së kaluar, konsideron se kategorizimi i Komunës së Malishevës, në zonën e “verdhë” apo zonën me rrezikshmëri mesatare, është gabim në shifra nga ana e IKSHPK-së. Për këtë gabim në pasditen e vonshme të ditë së djeshme, janë njoftuar edhe IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, por ata nuk kanë reaguar për rregullimin e këtij gabimi”, thuhet në këtë njoftim.

Ky Shtab pretendon se IKSHPK-ja i ka regjistruar edhe disa raste pozitive të komunave tjera në regjistrin e Malishevës.

Gjatë javës së kaluar, në Komunën e Malishevës, janë regjistruar 38 raste me covid-19, dhe jo 45 siç i ka paraqitur IKSHPK. Të gjithë raste janë të konfirmuara nga shtabi komunal në Malishevë. Në rezultatet javës së kaluar, IKSHPK, në disa raste rastet e ritestimeve, duke i regjistruar si raste të reja. Madje ka raste kur edhe personat nga komunat tjera i ka regjistruar si raste në Malishevë, në së paku tri raste. Gjatë javës, kemi raste kur pas publikimeve, vet instituti i ka konfirmuar gabimet”, thuhet tutje në njoftim.

Gabimet e pretenduara thuhet se po ndikojnë në jetën e qytetarëve të Malishevës derisa nga Shtabi kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë ta kthejë këtë komunë në zonë me rrezikshmëri të ulët të përhapjes së koronavirusi, apo në zonë të gjelbër.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë në një konferencë për media të premten kanë njoftuar se numri i komunave në zonë të verdhë është nëntë.

Komento: