E vërteta për “skandalin” e kasafortës në Presidencë

12:35 | 18 Dhjetor 2020

Kjo është e vërteta për “skandalin” e kasafortës në Presidencë.

Kasaforta në Presidencë, megjithatë, nuk është hapur, thotë një burim nga Prokuroria. Aty, sipas burimit, kishte dokumente të AKI-së, të cilat nuk duhej të binin në dorë të EULEX-it. Nuk ishin të Thaçit, por të AKI-së. Tash ato i ka Vjosa Osmani.

Kur presidenti Thaçi është larguar dhe Vjosa Osmani ka ardhur në zyrën e tij, një histori ka qarkulluar në opinion lidhur me kasafortën e Presidencës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet për rastin me kasafortë dhe nuk ka gjetur elemente të veprës penale. Megjithatë, ka versione të ndryshme rreth saj.

Sipas një burimi në Prokurori, kanë pasur informata se do të ketë bastisje nga EULEX-i.

“E vërtetë është qe ka pasë info se mund te bastiset Presidenca”, ka thënë ky burim.

Sipas tij, në Presidencë kishte dokumente, të cilat nuk duhej të binin në dorë të askujt dhe të cilat janë pronë e shërbimit të inteligjencës.

“Dhe në mungesë të presidentit, raportet e klasifikuara të AKI-së nuk do të duhej të binin në dorë të askujt që nuk ka autorizim. Raportet janë pronë e AKI-së”.

Atë ditë zyrën e kishte lëshuar Hashim Thaçi, e në të kishte ardhur Vjosa Osmani.

Kur ndodhën zhvillimet në Presidencë, pra çështja e kasafortës, ushtruesja e detyrës së presidentit po bënte homazhe te varri i presidentit Rugova.

“Dhe ideja ka qenë se në rast se mund të ndodhë bastisja, AKI-ja t’i marrë dhe t’i mbajë të sigurta derisa u.d. nuk i merr përsipër. Por, kjo nuk ka ndodhur”, i ka thënë Gazetës Express ky burim.

Megjithatë, ai thotë se kasaforta nuk është hapur dhe Osmani e ka marrë përsipër, si u.d e presidentit.

“Kasaforta nuk është hapur. Dhe është bërë dorëzimi i tyre”, ka thënë ai.

Komento: