Dreshaj i AAK-së kërkon nga Qeveria sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave për krejt qytetarët

12:28 | 10 Prill 2021

AAK kërkon nga Qeveria sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave për krejt qytetarët.

Infektologu dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se është nevojë urgjente sigurimi i vaksinave për gjithë popullatën.

Ai në një konferencë për media ka thënë se duhet shfrytëzuar buxheti që është ndarë për blerjen e vaksinave dhe të vihen kontaktet me vendet mike që të arrihet sigurimi i vaksinave kundër COVID-19.

“Në kohën e mbylljes së gastronomisë dhe të karantinimit parcial të vendit, në kohën kur mbi 15 mijë vetë janë vaksinuar jashtë vendit dhe në kohën kur vetëm dje mbi 15 mijë qytetarë, madje edhe pushtetarë aktualë, lëshuan vendin në drejtim të Shqipërisë, ne si AAK kërkojmë prej Qeverisë dhe ministrit Vitia që në një afat sa më të shkurtë të sigurohet sasia e nevojshme e vaksinave për vaksinim të mbarë popullatës”.

Gjithashtu, Dreshaj ka kërkuar që të bëhet publik edhe plani për menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimit dhe se kjo duhet bërë pa vonesa.

“Pandeminë duhet ta luftojmë bashkë. Ministri Vitia t’i bashkërendisë forcat me ministrat paraprakë, Armend Zemajn dhe Urani Ismailin, që të bashkëpunojnë lidhur me situatën”.

Komento: