Ministrja Haxhiu: Është formalizuar Grupi Punues për Veting në Sistemin e Drejtësisë

16:47 | 27 Prill 2021

Haxhiu njofton se është formalizuar Grupi Punues për Veting në Sistemin e Drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është formalizuar grupi punues për Veting në Sistemin e Drejtësisë.

Haxhiu ka thënë se në Grupin Punues përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë do të jenë edhe të institucioneve tjera dhe shoqërisë civile.

“Sapo formalizuam grupin punues për Veting në Sistemin e Drejtësisë. Formimi i këtij Grupi është shumë i rëndësishëm për shtetin e së drejtës. Në këtë Grup Punues, përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, do të jenë edhe përfaqësues nga institucionet e drejtësisë dhe institucioneve të tjera, shoqëria civile dhe gjithashtu ekspertë të tjerë të cilët do të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm për vendin qytetarët”, ka thënë ajo.

Haxhiu poashtu ka njoftuar se ky Grup Punues do të prodhojë një Koncept Dokument që do t’ia dërgojë qeverisë për aprovim.

“Grupi punues do të prodhojë një Koncept Dokument, i cili do t’i dërgohet Qeverisë për aprovim, për t’i hapur rrugë më pas zhvillimit të procesit të vetingut, përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore apo kushtetuese. Në emër të Ministrisë falenderoj të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për të kontribuar në këtë proces të rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Komento: