Zbulohet arsyeja që nuk u grumbullua nga Kosova, Hadergjonaj në gjendje të rëndë

23:13 | 25 Maj 2021

Ai nuk ka qenë në pozitë të mirë shëndetësore.

Florent Hadergjonaj është njëri nga futbollistët më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës në vitet e fundit.

Mbrojtës i djathtë, i majtë, mesfushor qendror, mesfushorë krahu e sulmues krahu. Thuajse të gjitha pozitat i ka luajtur deçanasi duke mos bërë zë e duke zbatuar në përpikmëri urdhrat e trajnerit.

Hadergjonaj njihet edhe për shpirtin e tij luftarak dhe grintën e madhe që ka në fushë, derisa në të gjitha ndeshjet që ka luajtur për Dardanët ka qenë ndër më të mirët.

Por për dy ndeshjet e muajit qershor ndaj San Marinos dhe Maltës ai nuk është ftuar nga trajneri Bernard Challandes.

Telegrafi ka kontaktuar mbrojtësin e Kasimpasas, i cili ka treguar edhe arsyen pse nuk do të grumbullohet me Kosovën për këto dy takime.

Ai nuk luajti as në ndeshjen e fundit në kampionatin turk shkaku i lëndimit që ka pësuar, derisa ekskluzivisht për Telegrafin ka treguar se nga çka po vuan.

“Për momentin ndodhem në Zvicër, ku jam duke u trajnuar me mjekun. Kam probleme me unazat e shpinës dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk kam luajtur as ndeshjen e fundit në kampioat me Kasimpasën”.

“Kam biseduar me trajnerin Bernard Challandes dhe i kam treguar për problemin që kam, por edhe klubi e ka njoftuar që jam i lënduar”, deklaroi Hadergjonaj për Telegrafin.

Nëpër rrjete sociale kanë qarkulluar shumë komente se disa nga lojtarët nuk janë grumbulluar për ndeshjet e qershorit shkaku i pushimeve.

Hadergjonaj u përgjigj edhe rreth kësaj teme, duke thënë se nuk vjen në shprehje që ndonjëherë ta refuzojë ftesën nga Kosova.

Komento: