Gastronomët reagojnë pas paralajmërimit për lehtësim të masave
Në vend së shpejti do të ketë lehtësim të masave, ku Gastronomisë do t’i lejohet veprimtaria deri në ora 23:00.
Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, ka thënë se nuk ka opsion tjetër përveç lehtësimit të masave dhe hapjes totale, meqë vendi gjendet në masa ekonomike të papërfillshme.
Ai u shpreh se në këtë formë nuk ka peshë edhe vaksinimi që bëhet meqë nuk ka kufizime me vendet e rajonit.
”Në operimin e tillë të këtij vendi si po shkon kështu, ne po shohim, nëse i referohemi mbylljes së fundit, 12 ditore, ne kemi marrë ndoshta modelin e Gjermanisë, për mbylljen e sektorit të gastronomisë, por se kemi marrë modelin e Gjermanisë në lidhje me kontrollet ndërkufitare, mes vendeve tjera.
Ne kemi parë, që ndoshta i kemi ndaluar rreth 100 mijë persona të frekuentojnë vendin tonë, por kemi pasur 60 mijë persona që vetëm Republikën e Shqipërisë e kanë vizituar.
Çfarë rëndësie ka këtu procesi i vaksinimit, ku personat e njëjtë po dalin jashtë vendeve tona.
Dhe nuk ka asnjë lloj kufizimi jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Malin e Zi, Maqedoninë e vendet tjera.
Kjo është vetëm një eksportim i parasë dhe importim i virusit.
Në gjendjen çfare jemi ne, me masa ekonomike të papërfillshme, me një ligj për rimëkëmbjen ekonomike të pazbatueshëm, me gjoba e dënime dhe drejtësi selektive, ne nuk kemi asnjë lloj zgjidhje tjetër përveç të hapemi si industri, sepse është e vetmja shans që të konsumojmë këto remitenca që vijnë nga kjo rini dhe nga kjo diasporë”, tha ai në Klan Kosova.