“Nuk do kapja kurrë armë me dorë” – megjithatë Albin Kurti gëzon statusin e veteranit

15:54 | 29 Maj 2021

Ndonëse armët nuk i ka fort në qejf dhe gjatë luftës thoshte se një të tillë nuk do ta kapte kurrë në dorë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, po del të jetë në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndryshe nga paraardhësit e tij në institucione, lideri i VV-së dhe kryeministri Albin Kurti nuk njihet për veprimtarinë e tij luftarake në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, ai ligjërisht është në një pozitë të barabartë me ta, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net ka gjetur se Albin Kurti është në listën e veteranëve të UÇK-së. Statusi atij i është njohur më 2015 nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëës.

Kurti aso kohe ishte renditur i 19-ti në Listën prej 269 personave që iu kishte njohur ky status.

Aty ishte edhe ministri i tanishëm i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Sidoqoftë, Kurti siç duket nuk ka marrë pensionin e veteranit, pasi që në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, që nga 2016 e tutje nuk figuron se ai ka përfituar diçka.

Për statusin e veteranit të fituar nga Kurti më 2015 kishin raportuar edhe mediat asokohe.

Çështja e konbributit direkt të Albin Kurtit në luftë është aktualizuar kohëve të fundit pas një deklarate të komandantit të zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, i cili tha se kryeministrin e tanishëm, e kishte pasur “bashkë-luftëtar”.

Sidoqoftë, ishte vet Kurti ai që pohonte se armën nuk do ta kapte kurrë me dorë. Ai në një dokumentar të shfaqur thoshte se mes luftës dhe dorëzimit preferon zgjidhjen pa dhunë.

“Nuk mund të kesh një luftë klasike dhe frontale, në mes të dy ushtrive. Nuk ka kësi lloj lufte. E keni parë Bosnjën, dhe e keni parë se është një nga luftërat më të tmerrshme. Shumë njerëz të pafajshëm duke vdekur. Nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë. E kam thënë se mes luftës dhe dorëzimit preferoj zgjidhjen pa dhunë”, thoshte Kurti.

Për statusin e fituar, Kurti nuk është se u kishte shpëtuar kritikave të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Madje, ish-ushtari i UÇK-së nga Malisheva, Faik Zogaj, e akuzonte Kurtin duke e quajtur “veteran të rrejshëm”.

“Te nderuar Bashkluftetar amundeni te me tregoni dikush prej jush a eka pa Albin Kurtin ne Luft Albin Kurti qenka veteran i rrejshem, sepse keshtu tha Rexhep Selimi ne emision ne TV Dukagjin , po e citoj : pa marr pjese ne tri beteja nuk mund te jesh veteran luftetare, a po me tregon dikush ne cilat beteja ka marr pjese Albini. Tash pi kuptojm pse nuk po na ndihmon neve veteraneve te vertet Albin Kurti sepse vet eshte veteran mashtrues, une njoh plot bashkluftetare te mi e te komandant Muje Krasniqit qe as mill nuk kan , nese doni jau tregoj edhe emrat”, shkruante vitin e kaluar Zogaj.

Për rolin e Albin Kurtit në luftë, gjatë ditëve të fundit kanë folur edhe ish-komandantë të tjerë të UÇK-së.

Sami Lushtaku nga zona e Drenicës, ka thënë për lajmi.net se Kurti kishte shkuar në Likoc, por nuk kishte pasur guxim të qëndronte aty.

“Mbaj në mend kur ka ardh në Likoc e ne kemi kërku me qëndru me neve, por ai nuk ka pranuar dhe ai kurrë s’ka qenë ushtar i UÇK-së”, ka thënë Lushtaku për lajmi.net.

Kurti jo rrallë herë ishte akuzuar edhe nga ish-presidenti Thaçi për kontritubin e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai madje aludonte se në lidhje me veprimtarinë e tij, Kurti ka “boshllëk patriotik”.

Komento: