Zoran Zaevi thotë se Marrëveshja e Prespës duhet të merret si model nga Kosova e Serbia

18:31 | 01 Qershor 2021

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është i lumtur që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnbiq, ka përmendur Marrëveshjen e Prespës si model për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan b92.

Zaev beson se nga kjo marrëveshje, që i dha fund kontestit mes Maqedonisë e Greqisë më 2018, për emrin e kësaj të parës, mund të përfitojnë edhe Kosova e Serbia në dialogun që kanë para vetes.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë ua kanë borxh qytetarëve të tyre të ardhmen, perspektivën. Nuk e ka lehtë asnjëra anë, por le të mësojnë nga shembulli ynë me Greqinë”, ka thënë Zaev në një intervistë për televizionin Klan Maqedonia. “Dyert e historisë duhet të mbyllen kur të hapen dritaret e së ardhmes”.

Ai thotë se Maqedonia është shembull i fqinjësisë së mirë.

“Ne jemi shembull për zgjidhjen e problemeve regjionale dhe kontestet me fqinjët. Jam i lumtur që kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq, tha se Marrëveshja e Prespës është model për zgjidhjen e problemeve Kosovë – Serbi”, ka thënë ai.

Komento: