Drejtori i Policisë: Situata në trafik është e papranueshme, pritet ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore

12:01 | 08 Qershor 2021

Aksidentet në trafik, Mehmeti: Situata është e papranueshme, pritet ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se ka rritje të aksidenteve në trafik, ndërsa sipas tij situata është e keqe dhe si e tillë është e papranueshme.

Mehmeti në një konferencë për media tha se nga studimet që janë bërë edhe në vendet e rajonit, edhe periudha e mbylljes për shkak të pandemisë ka ndikuar në rritjen e aksidenteve dhe dhunës në përgjithësi.

“E kemi një situatë të papranueshme dhe të keqe lidhur me sigurinë rrugore”, tha Mehmeti.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se aktualisht janë me dy operacione aktive për sigurinë, ndërsa tashmë kanë futur edhe përdorimin e dronëve për kontrollin në trafik.

Ai tha se vetëm nga janari deri më 7 qershor janë shqiptuar mbi 170 mijë gjoba trafiku.

Sipas tij, problemi i sigurisë në trafik është multi-dimensional dhe duhet të përfshihen disa akterë në këtë fushë.

Drejtori i Policisë tha se janë disa masa afatmesme që pritet të ndërmerren, ndër të cilat është edhe ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore.

Ndër ndryshimet që pritet të bëhen është edhe kalimi i përgjegjësisë nga vozitësi i automjetit, edhe te pronari i automjetit.

Ai tha se me digjitalizimin e sistemit, mundet që shqiptimi i gjobave të bëhet edhe pa ndalur fizikisht personin.

Drejtori i Policisë më tej u shpreh se me ndryshimin e Ligjit do të rishikohet edhe mënyra e gjobitjes, dënimit, sidomos në rastet kur aksidentet përfundojnë me fatalitet.

Ai mori shembullin e Zvicrës, kur në rastet e aksidenteve me fatalitet për shkak të përdorimit të telefonit, telefoni të konsiderohet si armë.

“Qytetari duhet të kuptojë që siguria në trafik është e keqe dhe të mos vdesin familjet në aksident”, tha ai.

Komento: