E thotë ish-ushtari i UÇK-së: Përqindja e pjesëmarrjes në luftë ka qenë e vogël

09:59 | 21 Qershor 2021

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fikret Shatri, e ka përshkruar 20 qershorin e 1999-ës – Ditën e Çlirimit të Istogut, si ditë me emocione të përziera.

“20 qershori ka qenë me plot dhimbje, ka qenë sakrificë e madhe, ka pasë shkatërrim total të shtëpive në Istog. Ka pasë humbje të mëdha fizike dhe ekonomike. Ka qenë edhe njëfarëlloj lumturie për shkak të asaj që kishte ardh, por një pjesë e popullatës kishte pësuar shumë keq. Edhe neve na është vrarë vëllai. Është një miks ndjenjash, por me e rëndësishmja ishte liria, që i kalonte të gjitha”, është shprehur Shatri, njofton Klan Kosova.

“Liria ka qenë strumbullar i të gjithave”.

Shatri është shprehur se në luftën e fundit në Kosovë ka pasur mundësi që të kontribuohet më tepër.

“Kemi mundur të bëjmë shumë më shumë. Ka qenë përqindje e vogël në luftë dhe përkrahjen e luftës së Kosovës”.

Ai ka treguar në periudhën para çlirimit janë përballur me shumë vështirësi, ku ka përmendur se numri i ta vrarëve dhe të plagosurve në radhët e UÇK-së ka qenë i madh.

Komento: