Messi dhuron spektakël dhe dërgon Argjentinën në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës

09:19 | 04 Korrik 2021

Messi udhëheq Argjentinën drejt gjysmëfinaleve, eliminohet Uruguai.

Mbyllet faza çerekfinale edhe në Copa America, teksa pas Brazil-Peru, çifti tjetër i gjysmëfinaleve do të jetë Argjentinë-Kolumbi.

Këta të fundit ia dolën të eliminojnë Uruguain vetëm pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt e ndeshjes përfundoi në barazim pa gola.

Në Brasilia u zhvillua një 90-minutësh mjaft i luftuar nga të dy skuadrat, që u kujdesën shumë të mos pësojnë, ndërsa te penalltitë kolumbianët triumfuan 4-2 pasi gjuajtën saktë 11-metërshat e tyre, ndryshe nga Uruguai ku gabuan Jimenez dhe Vina.

Triumf bindës regjistroi edhe Argjentina, që mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Ekuadorin, në një ndeshje ku protagonist absolut ishte kapiteni Lionel Messi me dy asiste dhe një gol.

Ylli argjentinas shërbeu saktë për De Paul në minutën e 40-ë dhe mesfushori ia doli të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa në të 84-ën ishte Lautaro Martinez që shënoi edhe golin e dytë sërish me asist të Lionel Messit.

Në minutat shtesë Ekuadori mbeti me 10 futbollistë, ndërsa Lionel Messi përfitoi për të shënuar edhe golin e tretë për Argjentinën dhe për të mbyllur plotësisht llogaritë e ndeshjes.

Gjysmëfinalja e parë do të jetë ajo Brazil-Peru më 6 korrik dhe një ditë më vonë Argjentinë-Kolumbi, teksa gjasat janë që në finale të kemi përballjen klasike Brazil-Argjentinë.

Komento: