Ministri i Financave të Kosovës aksionar në tri kompani gjigante botërore

15:59 | 05 Korrik 2021

Valon Murati deklaron aksione në Netflix, Tesla e Volkswagen

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në janar të vitit të kaluar ka blerë aksione në formën e letrave me vlerë nga platforma amerikane e filmave, serialeve dhe shfaqjeve televizive “Netflix”, raporton Express.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për këtë vit, Murati ka shkruar se vlera e aksioneve të blera në “Netflix” kap shifrën e 8 mijë e 700 eurove.

Murati ka deklaruar po ashtu se posedon letra me vlerë edhe nga tri kompani tjera të mëdha me renome ndërkombëtare si kompania prodhuese më e madhe e veturave në Gjermani, Volkswagen, nga kompania tjetër gjermane të shërbimeve financiare, Allianz SE, si dhe nga kompania e famshme amerikane për prodhimin e automjeteve elektrike, Tesla.

Ai ka deklaruar se ka letra me vlerë prej 26,700 eurove nga Tesla, 4 mijë e 300 euro nga Allianz, si dhe 6 mijë e 300 euro nga Volkswagen.

Por ai, sipas deklarimit të pasurisë, nuk ka arritur ta paguajë një kredi për blerjen e banesës me shitjen e aksioneve që i ka pasur.

Ai ka deklaruar se e ka në emër të tij një banesë 41 metra katror në vlerë prej 38 mijë eurosh, si dhe një tokë që ka vlerësuar se kushton 23 mijë euro.

Murati po ashtu ka deklaruar se e ka një veturë të blerë në vitin 2010, e që vlerësohet se kushton 3 mijë e 100 euro.

Ministri ka deklaruar se mban mbi 9 mijë e 270 euro para të gatshme në dy banka të vendit.

Letrat me vlerë janë aksione të shoqërive tregtare, obligacione, instrumente të tregut të parave, aksione në fonde për investim.

Komento: