A e mbajti Smajl Latifi premtimin për punësimin e të rinjve rahovecianë

21:07 | 10 Korrik 2021

Smajl Latifi tregon a e mbajti premtimin për rritjen e punësimit në Rahovec për 7%,

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi kishte premtuar se do ta rris numrin e të punësuarve 7% në mandatin katër vjeçar.

Tani që është në përfundim të këtij mandati dhe synon edhe një mandat tjetër, ai ka treguar se a ka arritur ta realizojë këtë premtimin.

Në një intervistë për lajmi.net, Latifi ka thënë se nuk e di saktë përqindjen e rritjes së të punësuarve, duke theksuar se qytetarët hezitojnë të punësohen në sektorin privat.

“Është e vërtetë që ndonjëherë është paraqitur edhe krizë sepse një pjesë e qytetarëve tonë kanë më shumë dëshirë të përfshihen në sektorin publik dhe ndoshta kanë hezituar të përfshihen në sektorin privat. Kjo për shkak mbase të sigurisë më të madhe, në bazë të një analize. Por, ne kemi plot fakte e argumente që dëshmojnë se numri i të punësuarve në sektorin privat të prodhimit dhe në sektorin e përpunimit, në biznese, në bujqësi, në vreshtari dhe në biznese të njohura në komunën tonë, ka ardhë duke u rritur e jo duke i zvogëluar. Tash nuk e di 7 % apo 8% rritja e të punësuarve, por e vërteta është se në komunën tonë ka shumë më shumë zhvillime pozitive sa i takon rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, rritjes së eksportit, krijimit të vlerës së shtuar, por edhe rritjes së numrit të të punësuarve. Kjo për shkak të shumë lehtësirave, për shkak të heqjes së taksave për një numër të madh të bizneseve të kategorive të shumta, por kemi edhe aktivitete tregtare, zejtare të kanë ndikuar pozitivisht në krijimin e vendeve të punës”, ka thënë ai.

Komento: