Që 4 vjet u përurua por nuk u funksionalizua shërbimi i hemodializës në Rahovec

23:07 | 10 Korrik 2021

Pavarësisht se u përurua në vitin 2017, shërbimi i hemodializës në Qendrën Kryesore të Mjekisë Familjare në Rahovec, asnjëherë nuk u funksionalizua. E, për këtë fajtor po shihet Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë kjo komunë përgjegjësie ka pasur vetëm investimin për hemodializë, ndërsa funksional duhet ta bëjnë Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Ndoshta është mirë me pyet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit për këtë temë. Sepse hemodializa bien në domenin e mjekësisë sekondare dhe në domenin e shëndetësisë terciare. Nuk është përgjegjësi e Komunës së Rahovecit. Komuna e Rahovecit e ka kry investimin e vetë, i ka bërë përgatitjet teknike që të hapet, ndërsa Spitali Rajonal i Prizrenit me rekrotuar stafin dhe duhet me i plotësua kriteret dhe kërkesat që kërkohen që të jetë funksional ky repart dhe në dobi të pacientëve që i nënshtrohen procesit të dializës.

Ai ka treguar se ka kërkuar llogari nga këto dy institucione pse nuk po funksionalizohet dhe çfarë përgjigje ka marrë.

“Jo vetëm që kemi kërkuar llogari, por ne kemi qenë në përpjekje te pandalshme. Kemi pas takime të përbashkëta edhe me ShSKUK-në, disa herë takime me udhëheqjen e Spitalit të Prizrenit, pastaj kemi pas komunikim me ministrat dhe Ministrinë e Shëndetësisë në vazhdimësi.Ka pasur përpjekje që njëherë të hapet përkohësisht gjatë pandemisë, por ne nuk e kemi pa të arsyeshme hap e mbyll.Ne kemi dëshirë që kur të hapet të mos mbyllet më. Komuna e Rahovecit është e gatshme ta hap kurdo që e funksionalizojnë këta që janë kompetent. Kompetent janë Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ShSKUK-në dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjaku në Prishtinë.

Projekti për shërbimin e hemodializës me të gjitha pajisjet, në tërësi kishte kushtuar 306 mijë e 660 euro. Komuna e Rahovecit kishte investuar ë 169 mijë e 324 euro, ndërsa donatori i projektit, kompania “Meditech” kishte përkrahur projektin me 137 mijë e 337 euro.

Komento: