Kryeministri Kurti ende në Greqi, mbledhjen e Qeverisë e drejton Besnik Bislimi

16:06 | 14 Korrik 2021

Kurti ende në Greqi, mbledhjen e Qeverisë e drejton Besnik Bislimi.

Mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës po udhëhiqet nga zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi, pasi shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ende s’është kthyer, edhe përkundër që në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrisë të titulluar “Agjenda e Kryeministrit për Sot”, nënkuptohej që Kurti do të merrte pjesë në mbledhje.

Kreu i ekzekutivit është duke qëndruar në Greqi që nga 8 korriku, ku po merr pjesë në disa organizime të ndryshme.

Këtë e kishte konfirmuar sot zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, teksa kishte dhënë detaje për vizitën e Kurtit në Republikën Helene.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit. Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”, ka shkruar sot Kryeziu.

Besnik Bislimi po e drejton këtë mbledhje pasi ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, ku edhe ka treguar se është duke marrë infuzione dhe se aty ka ardhur direkt nga Klinika.

Komento: