KFOR-i komenton gjendjen e krijuar në Deçan

19:41 | 16 Korrik 2021

KFOR-i për Reporteri: Jemi duke monitoruar gjendjen në Deçan, deri më tani s’u kërkua ndihma jonë nga autoritetet kosovare.

KFOR sot është deklaruar pas helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Komunës së Deçanit.

Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, nga KFOR kanë thënë se janë duke e monitoruar situatën pas helmimit të qytetarëve të Deçanit nga afër.

Nga kjo forcë kanë thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar ndihmën e KFOR-it pas kësaj situate.

“Deri më tani, asnjë kërkesë zyrtare për ndihmë nuk i është dërguar KFOR-it nga autoritetet lokale. KFOR si gjithmonë është i gatshëm që të ndihmoje të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit të tij të marrë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, është thënë në përgjigjen e KFOR-it për Reporteri.net.

Ata kanë thënë se ekipet e KFOR-it po e monitorojnë situatën nga afër.

“Ne e dimë se Forca e Sigurisë së Kosovës po punon shumë dhe po merret me emergjencat, duke demonstruar të jetë efektive në ndihmën e autoriteteve civile në trajtimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera në favor të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën përmes një prej Ekipeve tona të Ndërlidhjes dhe Monitorimit që takohen çdo ditë me përfaqësuesit e autoriteteve lokale dhe njerëzit që jetojnë në zone”, është thënë në përgjigjen e KFOR për Reporteri.net.

Kujtojmë që mbi 1.500 persona u helmuan në Deçan, për arsye ende të panjohura, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë.

Dyshimet e para janë se banorët e kësaj komune janë helmuar nga uji i pijshëm.

Komuna e Deçanit sot ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i mbi 1 mijë e 500 personave.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur sot se uji nga rezervuari në Drenoc ka bakterien E.Coli.

Komuna e Deçanit, ka bërë apel që 12 fshatra të mos e përdorin për pije ujin për shkak të paraqitjes së bakteries së E.Coli.

Bëhet fjalë për Prilepin, Rastavicën, Gramaqelin, Dubravën, Shaptejin, Jasiqin e Ri, Gllogjanin, Ratishin e Epërm, Ratishin e Ulët, Irzniqin dhe Prokollukun.

Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Shëndetësisë ka dërguar dy kontingjente me barna në Komunën e Deçanit.

Komento: