Ministri Mehaj viziton Deçanin, tregon për gjendjen e të infektuarëve

17:40 | 17 Korrik 2021

Mehaj viziton Deçanin, shpreh mirënjohje për mantelbardhët dhe thotë se gjendja po i kthehet normalitetit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka qëndruar edhe sot për vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, thotë se në Deçan qëndroi për të parë nga afër punën e stafit mjekësor të kësaj qendre dhe pacientët.

Ai shprehu mirënjohje për mantelbardhët që kanë punuar me përkushtim gjatë kësaj periudhe, ndërsa tregon se është njoftuar që gjendja po i kthehet normalitetit dhe qytetarët nuk kanë nevojë për shqetësim.

Postimi i plotë:

“Bashkëvendas të mi të dashur deçanas,
Qytetarë të dashur të vendit tim,
Edhe pse çdo çast jam i informuar me situatën, sot, isha në vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, për të parë nga afër punën e stafit mjekësor të kësaj qendre dhe pacientët në trajtim. Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, Musa Berisha dhe të gjithë stafit të QKMF-së në Deçan i shpreha vlerësimin tim më të lartë për shërbimin vetëmohues të tyre në përmbushjen me përkushtimin dhe dinjitetin më të lartë, detyrën e shenjtë të mantelbardhit.
Gjatë tërë kohës pata në dorë librin “Lufta kundër vdekjes” të dhuruar nga vet autori, drejtori Musa Berisha, këtij burri me një jetë të tërë në shërbim të Lirisë së vendit tonë.
E luftën, me këtë emergjencë, e fituan edhe ky ekip i mrekullueshëm, të cilët më njoftuan se gjendja është gati në normalitet dhe se qytetarët nuk kanë nevojë më të shqetësohen.
Unë kam marrë të gjitha masat, që të gjitha nevojat dhe kërkesat e adresuara nga Shtabi Emergjent i Komunës, do të realizohen në kohën e duhur me të gjitha kapacitetet e FSK-së në dispozicion”.

Komento: