Delta i afrohet Kosovës, rritet rreziku për infektime ndërkohë që shumë pak qytetarë janë vaksinuar

19:23 | 25 Korrik 2021

Rastet e prekjes nga versioni Delta e kanë rrethuar Kosovën. Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka konfirmuar se në Shqipëri tashmë ka mbërritur varianti Delta i virusit Covid-19. Ditë më parë, rastet e para me variantin Delta i kishin konfirmuar edhe dy shtetet e tjera fqinje të Kosovës, Maqedonia dhe Serbia.

Me anë të një njoftimi, Ministria shqiptare e Shëndetësië thotë se nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë-Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi të ishte prezent ky variant.

Siç raportohet, varianti Delta po i prek më shumë personat që nuk janë vaksinuar.

Fatkeqësisht, në Kosovë përqindja e të vaksinuarve vazhdon të jetë e ulët. Deri më tani, në Kosovë me dy dozat janë vaksinuar vetëm 108 mijë qytetarë.

Ndërkohë, Ministri Arben Vitia shihet rrallë në publik, ndërsa nuk ka as një fushatë të duhur për vaksinimin.

Po ashtu, gjer më tani, ekspertët dhe mediat botërore kanë raportuar se varianti Delta e ka më të lartë shkallën e shpërndarjes sesa varianti i zakonshëm i virusit Covid-19.

Sipas “Wall Street Journal”, kishte raportime në Indi që tregonin se varianti Delta po shkaktonte edhe humbje të dëgjimit, gangrenë dhe simptoma të tjera të pazakonta, por shkencëtarët thanë se një epidemi intensive siç është ajo në Indi do të priret të prodhojë një spektër të konditave të rralla, duke pasur parasysh numrin e madh të infeksioneve.

Komento: