Luis Enrique nuk e përmend Kosovën, por ndodhi diçka në konferencë

17:10 | 04 Shtator 2021

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Spanjës në futboll, Luis Enrique, dhe kapiteni i spanjollëve, Sergio Busquets, nuk e kanë përmendur fare duelin kundër Kosovës.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën gjatë ditës, përzgjedhësi dhe kapiteni kanë folur vetëm për duelin e së dielës, kundër Gjeorgjisë. Gjeorgjinë e kanë vlerësuar kundërshtar të fortë dhe të papërshtatshëm.

Të shtunën, Spanja e mbajti stërvitjen e fundit para duelit të Grupit B kualifikues për Kupën e Botës “Katari 2022”.

Spanja do të kërkojë të këndellet pas disfatës së pësuar nga Suedia 2:1. Suedia prin në Grupin B me nëntë pikë, dy më shumë se Spanja.

“Sa i përket ndeshjes kundër Gjeorgjisë do të jetë e vështirë sërish dhe do të vuajmë. Avantazhi jonë është se luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Do të provojmë të fitojmë dhe të shënojmë më shumë gola se rivali, por më lejoni t’u kujtoj se e kemi fituar ndeshjen e fundit kundër tyre në minutën e fundit, kështu që do të jetë e vështirë sigurisht”, tha fillimisht përzgjedhësi Luis Enrique.

Kapiteni Busquets bëri me dije se futbolli ka përparuar dhe Spanja duhet të përshtatet dhe të ndryshojë nëse dëshiron që të kualifikohet për në Botërorin “Katari 2022”.

“E dimë se kjo nuk është situata më e mirë, nuk është ajo që e kemi dashur natyrisht. Jemi optimistë dhe ne punojmë fort çdo ditë. I besojmë stafit dhe çdo lojtari të ekipit. Megjithatë, kemi pasur edhe mungesë fati”, theksoi Busquets.

Busquets, Jordi Alba dhe Adama Traore ishin në mesin e yjeve të Spanjës që stërvitën të shtunën.

Spanja luan kundër Gjeorgjisë në “Estadio Nuevo Vivero” në orën 20:45, ndërsa më 8 shtator luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Kosovës, nga ora 20:45.

Komento: