Vjen reagimi i Serbisë për aksionin në veri: Kurti po shpik probleme për të sulmuar veriun

11:58 | 13 Tetor 2021

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku situata është tensionuar pas aksionit kundër kontrabandës të Policisë së Kosovës.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, ka thënë aksioni i sotëm i policisë së Kosovës është tjetër provokim i kryeministrit Albin Kurti, para zgjedhjeve lokale, derisa shtoi se për këtë e ka informuar edhe Miroslav Lajçakun.

“Ndërsa ne po zgjidhim gjithçka përmes dialogut, ju keni Kurtin dhe të tjerët që po i zgjidhin gjërat përmes krizave për të pushtuar veriun e Kosovës, që është obsesioni i tyre. Ata po përpiqen të kriminalizojnë veriun”, ka thënë Petkoviq për Tanjugun serb.

Madje, ai ka thënë se ky aksion është “hakmarrje” për siç ka thënë ai “humbjen që Serbia ia shkaktoi Kosovës në Bruksel në lidhje me marrëveshjen për targat”.

“Prishtina po shkakton kriza të reja, po nxjerr në sipërfaqe probleme të paqena për të sulmuar veriun. Këtë po e bën në javën e fundit para zgjedhjeve. Ai po ndërmerr aksione të njëanshme dhe pasi ato i kanë dështuar, tash po shkon me skenarët B dhe C”, ka thënë Petkoviq.
Pas ndërmarrjes së aksionit qindra serbë lokalë janë mbledhur në pjesën veriore të Mitrovicës të cilët edhe kanë sulmuar policinë e Kosovës me grushte duke kundërshtuar aksionin.

Komento: