
Vendi ynë vazhdon të jetë i izoluar.
Liberalizimi i vizave dhe përmbushja e kritereve nga ana e Kosovës kanë qenë temat kryesore në takimin e e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë në Kuvendin e Kosovës.
Drejtuesit e Institucionevee të Kosovës kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre lidhur me vonesën nga ana e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës përkundër se vendi ynë i ka plotësuar kriteret e kërkuara, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë, vendimin për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takimin e shtatë të këtij Komisioni, shefi i ekzekutivit, tha se e të gjitha reformat janë në agjendë për reformë evropiane.
“Shpesh them se Bashkimi Evropian fillon në shtëpi dhe duhet të rritet këtu nga brenda, por na duhet ndihma nga jashtë, pra ndihma nga BE-ja. Ne jemi te përkushtuar për të intensifikuar përmbushjen e reformave dhe jemi në rrugë te mbarë. Ndryshimet demokratike në Kosovë kanë sjellë stabilitet dhe deri në fund të këtij viti pritet të rritet edhe zhvillimi ekonomik. Kemi pasur rritje të hyrave importeve etj. Kemi menaxhuar pandeminë dhe jemi vendi i parë në rajon me mesataren e numrit të vaksinave Kemi filluar reformat rrënjësore në drejtësi me veting dhe ligjin për pasuri të pajustifikueshme. Këto reforma do të forcojnë shtetin e së drejtës. Kemi themeluar struktura ndërinstitucionale për procesin e integrimit evropian. Këto edhe tema të tjera do të diskutohen hollësisht në ketë komision sot e nesër dhe këto janë prioritete edhe në agjenda për reforma evropiane”, ka thënë Kurti.
Më tej ai ka thënë se edhe BE-ja duhet të ketë përmbushje për çështjen e Kosovës.
“Edhe zëri i qytetarëve të Kosovës duhet të dëgjohet nga ju. Veprimi për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës është i padrejtë dhe dritëshkurtër”, ka thënë ai.
E për këtë pati një përgjigje ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai tha se deputetët e Parlamentit Evropian dhe të Parlamentit të Kosovës duhet të vazhdojnë të ndërtojnë besimin me shtetet anëtare të BE-së që të arrihet synimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Raporti i Komisionit Evropian dhe Presidentja e KE-së, von Der Leyen janë shumë të qartë në këtë pikë, Komisioni qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Propozimi i Komisionit Evropian është përkrahur po ashtu nga Parlamenti Evropian por akoma është nën shqyrtim në Këshillin e BE-së. Unë llogaris në përkrahjen e të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vazhdojnë të ndërtojnë besim me shtetet anëtare të BE-së që më në fund të arrihet ky qëllim”, ka thënë ambasadori Szunyog.
Lexo edhe: OBSH jep paralajmërimin: Europa rikthehet si epiqendra e pandemisë, 500 mijë vdekje të mundshme deri në shkurt
Ai tha se e inkurajon qeverinë e re që të vazhdojë punën në reformat evropiane.
“Kam nderin të ju drejtohem këtu në Kuvend në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell në takimin e shtatë për MSA-në. Ky takim është mbledhur sërish pas dy viteve. Qeveria gëzon shumicë të konsiderueshme, dhe i inkurajoj që të vazhdojë punën në reformat evropiane”, tha ai.
Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konufca pati Kritika për BE-në për liberalizimin e vizave por edhe rreth politikave të zgjerimit.
Ai me këtë rast tha se Kosova është fuqishëm e përcaktuar për BE dhe nuk ka tjetër projekt alternativ, por vendi ynë as nuk e shantazhon e as nuk i përgjërohet asaj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Të jemi të qartë e të mos i lëmë vend kurrëfar keqkuptimi. Republika e Kosovës është fuqishëm e përcaktuar për Bashkimin Evropian. Ne si popull përkundër disa popujve të tjerë këtej rreth e rrotull nuk kemi projekt tjetër alternativ përveç BE-së. Ne as nuk e shantazhojmë BE-në as nuk e përgjërojmë. Ne duam ta meritojmë BE-në me punë, reforma dhe angazhim konkret për drejtësi”, tha Konjufca.
Kryekuvendari Konjufca ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor.
“Ne nuk e konceptojmë BE-në si një stacion të largët ku duhet të arrijmë, apo si një parajsë. Ne e mendojmë BE-në si një sistem të vlerave të demokracisë, drejtësisë, barazisë sociale të cilin duhet ta ndërtojmë këtu. Vetëm kështu vettransformohemi duke u bërë edhe ne BE. As BE nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit perëndimor në gjirin e vet”, tha ai.
Konjufca ka kritikuar BE për procesin e liberalizimit të vizave.
“Regjimi i vizave ende mbetet në fuqi për qytetarët e Kosovës.
Edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon tha se I kupton kosovarët që ndjehen të lënë anash.
“E kuptoj shumë mirë se mund të ndiheni të lënë anash nga disa vende në BE, mirëpo në Parlamentin Evropian është një konsensus i gjerë se Kosova e meriton dhe ka nevojë për vëmendjen tonë të vazhdueshme. Kur kemi të bëjmë me liberalizimin e vizave ne jemi aleat të juaj të palëkundur, ne nuk kemi t’iu bindim për këtë, ju e dini këtë. Disa vende akoma po hezitojnë për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të jeni të bindur qartë për këtë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me mbajtjen e premtimeve të BE-së, premtime këto që janë dhënë para tri vitesh”, deklaroi ai.
Sipas raportit të Parlamentit Evropian të lëshuar këtë vit, sikurse edhe në vitin e kaluar, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.