
Krasniqi e fitoi betejën me COVID-19 pas javëve të kaluara në komë
Më 17 gusht jeta e Valon Krasniqit ndryshoi përgjithmonë. Krasniqi 30-vjeçar, muskuloz dhe një adhurues i motoçikletave, ishte kthyer pas pushimit në Shqipëri, ku ishte me familjen e tij, kur filloi të mos ndjehej mirë. Ai e motra e tij bën testin për koronavirus dhe rezultuan pozitivë, shkruan WDR.
Por, derisa motra e tij pati simptome të buta, COVID-19 e goditi Valonin me forcën e plotë. Ai nuk ishte i vaksinuar, pak javë para se të infektohej ishte përpjekur ta caktonte një termin, por atëherë nuk kishte vaksina shumë dhe prioritet ishin të moshuarit.
Ai me ditë pati temperaturë të lartë, dhe nuk po mund të hante apo të pinte. Më pas nisi të kishte vështirësi me frymëmarrje. Familja telefoni ndihmën e parë, e cila e dërgoi Krasniqin në një klinikë në Bergheim.
Por, edhe nën mbikëqyrjen e mjekëve, gjendja e 30-vjeçarit nisi të përkeqësohej në mënyrë rapide.
Pas një jave atij iu zhvillua edhe trombozë në dorën e djathtë dhe u dërgua në spitalin “St-Vinzenz” në Koeln. Më 26 gusht iu nënshtrua një operimi emergjent për t’ia shpëtuar jetën.
“Në të njëjtën mbrëmje kur u operova, më futën edhe në komë artificiale”, shpjegon Krasniqi, me një zë të butë tash pesë muaj më vonë.
Atëbotë kishte 93 kilogramë. Tash është 65 kilogramë.
Ai kishte marrë shumë medikamente gjatë trajtimit disa muajsh. Por, megjithatë buzëqeshja në fytyrën e tij është prezentë. Ai mbijetoi.
Lufta me virusin nisi vërtetë kur ai u fut në koma.
Në atë moment mushkëritë e 30-vjeçarit u dobësuan aq shumë, sa që u desh të futej në frymëmarrje mekanike. Deri më 2 nëntor, pra afro 10 javë, Krasniqi u fut në aparatin ECMO.
“Ishte një periudhë që mezi po lëvizja shkaku i gypave të shumtë. Por më mirë me gypa dhe aparate të zhurmshme dhe në fund fitues i betejës”, thotë Krasniqi.
Është familja që i dha të riut forcë. Bashkëshortja e tij dhe motra bënë çdo gjë për t’ia bërë me dije 30-vjeçarit se janë për të aty.
“Ekipi kujdestar më telefononte familjen, veçanërisht bashkëshorten time dhe motrën time, që më flisnin. Më afronin telefonin në vesh”, tregon Krasniqi.
Më vonë, kur familja e tij ishte në gjendje ta vizitonte, punonjësit në spital shpesh mbyllnin një sy.
Bashkëshortja shfrytëzoi vizitat në mënyrë që në dhomën e spitalit të vendoste foto të familjarëve dhe të shokëve. Ajo i la edhe letrat që shkruan nipërit e Krasniqit. Këto e motivuan Krasniqin që të shërohej plotësisht.
“Rasti i Krasniqit është një storie shumë e mirë e suksesit“, thotë profesori Christian Strassburg, që e trajtoi Krasniqin në Klinikën Universitare në Bonn. Pozitiviteti i tij ia lehtësoi punën mjekëve e infermierëve.
Klinika Universitare e Bonnit është stacioni i katërt i Krasniqit që nga infeksioni me koronavirus. Në fillim të nëntorit ai u lirua nga aparati ECMO dhe u dërgua në spitalin St. Marien në Koeln.
Aty 30-vjeçari mësoi sërish që të merrte frymë vetë pa ndihmë të aparateve. Pasi gjendja e mushkërive të tij u përmirësua, ai u dërgua në Bonn, ku u bë gjithçka për t’ia shpëtuar mëlçinë që ishte prekur.
“Kishte drojë se do të më duhej një mëlçi e re. Por, mjekët bënë punë të mrekullueshme dhe mëlçia u shërua”, tha Krasniqi.
Pak para Krishtlindjes, profesori Strassburg njoftoi Krasniqin për një dhuratë tjetër.
“Ne kemi organizuar një trajtim neurologjik, me të cilën ti dikur do të shërohesh, dhe do të jesh në gjendje të ngasësh motoçikletën”, thotë Strassburg, duke treguar se kjo terapi do ta ndihmojë Krasniqin që të forcojë muskujt.
Është një hap tjetër drejt shërimit të Valon Krasniqit. Është e paqartë nëse ai dikur do të jetë në gjendje të zhvillojë jetën që po e bënte para infektimit me COVID. Por kjo nuk e shqetëson. Për të është me rëndësi që sërish gjendet me familjen e tij.