Ministrja e Punëve të Jashtme konfirmon që janë në kontakt me Spanjën, s’e komentojnë punën e Zyrës Tregtare

17:15 | 29 Dhjetor 2021

MPJ e Kosovës konfirmon që janë në kontakt me Spanjën, s’e komentojnë punën e Zyrës Tregtare.

Spanja vazhdon të mbajë të pandryshueshëm pozicionin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë kontakte në mes të Prishtinës dhe Madridit zyrtar ekzistojnë. Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Një gjë të tillë e kanë potencuar të pyetur rreth paralajmërimeve për hapjen e një Zyre Tregtare dhe Kulturore të Spanjës në Kosovë, megjithatë për një proces të tillë s’kanë pranuar të japin detaje, njëjtë sikurse Madridi zyrtar.

“Po, kontaktet ekzistojnë. MPJD nuk i komenton proceset e kësaj natyre asnjëherë”, kanë thënë për Gazetën Express nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Se kontaktet ekzistojnë pavarësisht qëndrimit të Madridit për pavarësinë e Kosovës e kanë thënë edhe nga Spanja.

Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express nga Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle, kanë thënë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së raporteve me Kosovën dhe Serbinë.

“Në çfarëdo rasti, qasja jonë është shumë konstruktive; dhe, të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së kontakteve me të dyja palët, kërkohet që ata ta pranojnë pashmangshmërinë e një marrëveshjeje që e respekton ligjin ndërkombëtar, edhe me detyrat e vështira që kjo do t’i përfshijë”, ka theksuar Patricia Tortosa nga Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet. Lëvizje të qëndrimit karshi pavarësisë së Kosovës janë paralajmëruar edhe nga Greqia. Megjithatë ende s’ka ndonjë lëvizje konkrete.

Komento: