
Punësimet familjare nëpër institucionet shtetërore.
Duke parë që Qeveria Kurti, po bën vazhdimisht punësime familjare, gjë për të cilat i kishte akuzuar qeveritë e kaluara, Gazeta Metro i ka vënë emrin këtij ‘kapitulli’ të Qeverisë Kurti, ‘Kusherinologjia’. Ky term vjen pas deklaratës që Albin Kurti e kishte bërë në fushatë zgjedhore, kur kishte thënë që kushërinjtë janë për dasma dhe jo me i mbush ministritë me to.
“Njeriut do t’ia këqyrim punën, nderin, përgatitjen, por jo mbiemrin. Nuk mund t’i mbushim ambasadat e as ministritë me kushërinj”, kishte thënë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mandatit të dytë si kryeministër.
Kurti kishte premtuar një kulturë të re të qeverisjes, që nuk do të kishte punësime partiake e familjare.
Këto premtime, janë anashkaluar nga qeveria dhe në emër të ç’kapjes së shtetit, është duke bërë një kapje të re.
Kush ia pa hairin Qeverisë Kurti 2?
Me të marrë udhëheqjen e qeverisë, emri i parë që u raportua si i punësuar nga pushteti aktual, ishte i xhaxhait të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, Rabit Konjufca.
Ky i fundit, që ishte edhe kandidat për kryetar të Lipjanit, u emërua këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.
Këshilltar politik u emërua edhe vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, Sami Uka. Ai u emërua këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Gëzim Tosuni, u emërua këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Mbesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, Fadile Dyla u emëruar si u.d. sekretare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Suljota Aliu, motra e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, ishte punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga pushteti kanë përfituar edhe familjarë të deputetëve të Listës Guxo, që janë pjesë e koalicionit qeverisës. Në Ministrinë e Shëndetësisë, u punësua djali i axhës së deputetit, Haxhi Avdyli, Emrush Avdyli.
Shkurte Aliu, motra e deputetit të Vetëvendosjes (VV’së), Luan Aliut, ishte emëruar anëtare e Këshillit Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Me 27 korrik, në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik është emëruar Driton Vela, ish-kandidat i LVV-së për deputet, i cili është vëllai i Blerim Velës, këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani.
Në korrik gjithashtu në Universitetin e Mitrovicës ‘Isa Boletini’, kryesues i Këshillit Drejtues ishte emëruar Salem Lepaja, që njihet edhe si zyrtar i Vetëvendosjes (VV).
Lepaja është zyrtarë i lartë i VV’së dhe në të kaluarën është parë në disa konferenca në selitë e kësaj partie.
Këtu keni edhe një pjesë të konferencës ku shihet me Besnik Bislimin.
Presidentja Vjosa Osmani kishte propozuar me 5 gusht 2021 Vlora Spanca për pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës. Sipas raportimeve në media Spanca, është motra e këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, Valbona Mehmeti, shkruan Gazeta Metro.
Spanca me 12 gusht ishte emëruar Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës.
Sa ishte në ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia kishte vazhduar me punësimet e të afërmeve e familjarëve të partisë. Në shtator fatlum kishte qenë vëllai i nënkryetarit të Vetëvendosjes në Vushtrri, Sylejman Mehollit, Mensur Meholli. Madje ‘fatlum’, dy herë.
Në listën e siguruar nga “Gazeta Insajderi”, emri i Mensur Mehollit për të njëjtën pozitë, si staf mbështetës nëpër klinikat me Covid-19 figuronte dy herë. Ai ishte punësuar në këtë pozitë në komunën e Vushtrrisë dhe në atë të Mitrovicës.
Në tetor motra e deputetit të LVV’së pranohej në QKUK në pozitën e logopedit.
Uka-Raci, me profesion logopede, është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Ukës.
Ajo u shpall kandidatja me rezultatin më të suksesshëm nga 39 veta që kishin aplikuar në konkurs. Sipas vendimit të konkursit, – Uka-Raci mblodhi 82.6 pikë pas testimeve me shkrim dhe intervistim.
Në dhjetor të 2021, Qeveria Kurti i vuri kapakun punësimeve familjare kur punësoi bashkëshorten e Salih Zybës, në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila udhëhiqet nga Sami Mazreku.
Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka disa muaj që është punësuar në Departamentin e Dëmeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe ajo, sipas burimeve brenda këtij institucioneve, paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës me mbi 1 mijë euro pagë mujore.
Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhë në pushtet duke u zotuar se më nuk do të ketë nepotizëm, por kjo gjë tanimë është bërë e zakonshme edhe qeverisjen e Kurtit. Gazeta Metro i ka gjetur vetëm disa nga punësimet familjare të kësaj qeverie, derisa mund të ketë edhe raste të tjera të punësimeve familjare, por që nuk janë raportuar.