
Uniformat e policisë në Maqedoninë e Veriut së shpejti edhe në gjuhën shqipe.
Uniformat e policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe.
Kjo do të vlejë për ato komuna, ku 20 për qind e popullatës janë shqiptare.
Njoftimi u bë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Ky vendim po ashtu u bë i ditur edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi.
“Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe. Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë”, ka shkruar Grubi.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e tetë nga publikimi në Gazetën Zyrtare, dhe do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.
