
Jevtiq: Kërkojmë të ndalet dhuna institucionale.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ka thënë se përmes protestave të organizuara sot në mënyrë demokratike janë duke bërë thirrje për mbrojtje tek bashkësia ndërkombëtare.
“Përmes kësaj proteste të qetë, përmes kësaj heshtjeje, po protestojmë pa asnjë incident. Po japim porosi të qartë se duam të luftojmë me mjete demokratike dhe se është përgjegjësi e të gjithëve, si atyre që mbajnë qeverinë në Prishtinë ashtu edhe e bashkësisë ndërkombëtare, nga të cilët kërkojmë mbrojtje, mbrojtje institucionale”, ka thënë ai.
Gjatë fjalimit të tij, drejtuar protestuesve serb që ishin mbledhur në Graçanicë, Jevtiq ka thënë se suspendimi i kryetares së Gjykatës në Mitrovicë është dhunë institucionale.
“Vendimi për ta pamundësuar votimin e serbëve dhe suspendimi i kryetares së gjykatës në Mitrovicë Liljana Stefanovic është edhe një dëshmi shtesë e planit të qartë të qeverisë së Kosovës. Me këtë protestë kërkojmë që të ndalet dhuna institucionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në ditët e ardhshme do të kemi konsultime me Vuçiqin dhe të marrim vendime”, tha ai.