
Biden lavdëron guximin e ukrainasve kur iu adresohet trupave amerikane në Poloni.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka lavdëruar guximin e civilëve ukrainas derisa po iu drejtohej trupave amerikane në Poloni.
“Populli ukrainas ka shumë forcë karakteri. Ata kanë shumë guxim”.
“Shikoni se si ata po veprojnë. Gratë dhe të rinjtë po qëndrojnë përballë tankeve të mallkuara duke thënë ‘Unë nuk po largohem, po ruaj tokën time’. Ata janë të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.
Biden tha se bota aktualisht po sheh një luftë midis “demokracisë dhe oligarkëve”.
“Ajo në të cilën po angazhoheni është shumë më tepër sesa thjesht nëse mund të ndihmoni apo jo njerëzit e Ukrainës. Ne jemi në një fazë të re. Brezi juaj, ne jemi në një pikë kthese”, vazhdoi presidenti Biden.
Ai falënderoi trupat amerikane, duke i quajtur ato “forca më e mirë luftarake në historinë e botës”.