
Komuna e Prishtinës iu është kundërpërgjigjur pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për aktivitete të dyshimta ekonomike dhe hetim, duke thënë se janë të hapur ndaj kërkesave të organeve të hetuesisë.
Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të dërguar nga kjo komunë, duke thënë se vendimi është marrë përpara ardhjes së administratës së re.
“Ju njoftojmë se, nga mediat kuptuam që Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetim të Komunës së Prishtinës, për siç thuhet në njoftim, një aktivitet të dyshimtë ekonomik, që përfshin edhe keqpërdorimin e parasë publike, gjegjësisht, për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taxi të udhëtarëve me vetura elektrike”, thuhet në njoftim.
“Meqenëse, Vendimi në fjalë është marr pak para ardhjes së administrates së re qeverisëse, qeverisja e re lokale menjëherë ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm lidhur me rastin në fjalë është në pritje të rezultateve të auditimit, dhe sa i përket organeve të hetuesisë, jemi të hapur ndaj çdo kërkese që organet e rendit mund të kenë”, sqarohet më tej.