Xhafer Gashi zgjedhet kryetar i degës së LDK-së në Obiliq

23:01 | 30 Mars 2022

Kryetari aktual i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, është zgjedhur kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq, ka njoftuar sot Lidhja Demokratike e Kosovës.

Me anë të një shkrimi në Facebook, LDK njoftoi se delegatët e Kuvendit të Degës së LDK-së në Obiliq, pas një procesi demokratik dhe transparent, e në prani të shumë qytetarëve të Obiliqit, zgjodhën me unanimitet të plotë për kryetar të Degës z. Xhafer Gashin, kryetarin aktual të komunës së Obiliqit.

“Ky Kuvend i sotëm, tregon fuqinë politike të LDK-së; tregon organizimin tonë demokratik, zgjedhjen si mjet të vetëm vendimmarrës e kthimin e partisë tek anëtarësia jonë e përbashkët. Në Kuvendin e sotëm, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku falënderoi të gjithë delegatët, aktivistët dhe strukturat e Degës për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Po ashtu kryetari Abdixhiku u shpreh i bindur që ky Kuvend zgjedhor, do të jetë model edhe për komunat tjera, sipas mënyrës së angazhimit të anëtarëve po ashtu edhe në aspektin përmbajtjesor”, u theksua në njoftimin e LDK-së.

Në njoftim më tutje u theksua se LDK, “nëpërmjet proceseve të brendshme demokratike, me pjesëmarrje masive të anëtarëve në të gjitha nivelet organizative, dhe me hapësirë vepruese për të rinjtë e gratë, po vazhdon rrugëtimin e sigurtë drejt mobilizimin nacional për fitoren e madhe”.

Komento: