
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se ai dyshon në agjendën e kryeministrit Albin Kurti.
E thotë këtë për shkak se sipas tij Kurti gjithmonë ka qenë kundër historisë së Kosovës.
“Unë që nga fillimi i veprimtarisë së tij politike kam dyshuar në agjendën e tij. E them hapur këtë punë sepse nuk ka mundësi që të gjitha proceset historike të Kosovës me qenë ti në anën e kundërt të historisë dhe koha me të demantu çdo here”, është shprehur Selmanaj në emisionin Context në ATV.
Ndërsa, ka treguar se këtë ia ka thënë një ditë Kurtit edhe në Kuvend, dhe se është befasuar me përgjigjen e tij.
“Unë nuk do me thënë që kam qenë kundër, por unë çdo herë kam kërkuar më shumë”, thotë Selmanaj të i ketë thënë kryeministri Kurti.
Sipas tij, në politikë je për ta udhëhequr vendin e jo për dëshira.
“Në politikë nuk je për dëshira. Në politikë je për ta udhëhequr vendin dhe për të ofruar zgjidhje të mirë për vendin dhe klasa politike që ka egzistu në Kosovë në 20 vjetët e fundit ka tregu që në aspekt të krijimit të shtetit të Kosovës ka dalë rezultative e kanë krijuar shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Selmanaj ka përmendur edhe marrëveshjen e Rambujesë, duke thënë se aty nuk është përmendur askund shteti i Kosovës.
“Me marrëveshjen e Rambujesë askund nuk është përmend shteti i Kosovës. Mos ti kish pas qasje pragmatike nuk ish dashtë me pranu atë marrëveshje, është fol për një autonomi, është fol për një prezencë të forcave serbe këtu, por ka pas një zotim prapa që se kanë thënë asnjëherë dhe e kanë thënë pas çlirimit në Kosovë do të intervenojë NATO-ja dhe ndodhi çlirimi, ndodhi pavarësia dhe z.Kurti gjithmonë ka qenë në anën e kundërt të historisë”, është shprehur Selmanaj.
Kurse, ka akuzuar Kurtin se nuk po I pranon marrëveshjet të cilat sipas tij janë shumë të rëndësishme për Kosovën.
“Në anën tjetër z.Kurti nuk pranon një marrëveshje që për neve është historike, marrëveshja e Uashingtonit, nëse nuk pranon zbatimin e një projekti për të cilin sot një botë e tërë është duke diskutuar për gazin rus dhe mundohen me i gjet mënyrat alternative të furnizimit dhe ky nuk e pranon duke e pasur të gatshëm këtë besomëni dalin shumë pikëpyetje, agjenda e tij, rruga e tij, strategjia e tij, platforma e tij”, është shprehur ndër të tjera Selmanaj.