
Zyra e Rregullatorit për Energji duket se se ka në plan të pezullojë tarifat e shtrenjta, as pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nga ky institucion e kanë konfirmuar se e kanë pranuar aktvendimin e Themelores, derisa kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë se ky institucion do të parashtrojë ankesë për këtë vendim brenda afatit ligjor në Apel.
“ZRRE-ja, ka pranuar aktvendimin e gjykatës dhe mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006), do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit”, ka thënë Pepaj për Express.
Sipas tij, pas ankesës së tyre, aktvendimi i Themelores s’do të bëhet i formës së prerë dhe praktikisht s’është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.
“Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”. Në këtë kuptim, ne besojmë se ky Vendim bëhet i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, atëherë kur vendoset në shkallën e dytë, dhe deri në vendimin e shkallës së dytë akti i kontestuar, përkatësisht Vendimi i Tarifave mbetet në fuqi”, ka deklaruar Pepaj.
Aktvendimi i plotë i Gjykatës
Pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës ndaj ZRRE’së, Gjykata Themelore në Prishtinë doli me aktvendim për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të këtij institucioni për shtrenjtimin e rrymës.
Në aktvendim thuhet se “shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.