Kurti premtoi se do të funksionalizohet për dy muaj, Kryetari i Gjykatës Komerciale s’është i sigurt

21:00 | 22 Prill 2022

Albin Kurti, ende nuk e ka realizuar një premtim.

Gjykata Komerciale mund të mos funksionalizohet brenda dy muajsh, ashtu siç ka premtuar kryeministri Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Një deklaratë të tillë e ka dhënë i sapoemëruari në krye të kësaj gjykate, Mahir Tutuli. Ai ka thënë se nuk e di nëse do të mjaftojnë dy muaj për funksionalizimin e këtij institucioni.

“Do të bëhen përpjekje maksimale që premtimi i kryeministrit të zbatohet, por megjithatë nuk e di se a do të mjaftojnë dy muaj për funksionalizim të plotë, mirëpo me siguri do të jetë një periudhë bukur e shkurtë deri në funksionalizimin e saj”, ka thënë Tutuli në Klan Kosova FM.

Tutuli tha se në fillim mund të ketë ngecje, por se ato janë të natyrshme për çdo institucion në fillim.

“Në fazën e parë derisa të konsolidohet gjykata, natyrisht që mundet me pas ngecje që janë të natyrshme për çdo institucion në fazën e parë të konstituimit, por megjithatë shpresoj dhe jam shumë optimist që kjo gjykatë do t’i përmbush kërkesat”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pas funksionalizimit të gjykatës besohet se do të krijohet ambient edhe për investitorë të huaj, përveç për bizneset vendore.

“Do të jetë një lloj embleme që krijon një siguri juridike për investitorë”, ka deklaruar kryetari i kësaj gjykate.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në fund të janarit projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Komento: