
Vazhdojnë papenguar punimet në “Luginën e Diellit” në Zveçan.
Në lagjen “Lugina e Diellit” në komunën e Zveçanit po vazhdojnë punimet.
Në disa pamje të siguruara nga gazetari Besart Maloku shihet se është duke u vendosur pllaka e njërës prej qindra banesave.
Klan Kosova e pati të pamundur të shtunën të marrë një qëndrim zyrtar të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nëse ky projekt i Qeverisë së Serbisë tashmë ka aplikuar për leje.
Ka qenë zv/ministri Hysen Durmishi ai që ka pohuar në telefon se është përgjegjës vetëm për dikasterin e infrastrukturës, andaj nuk mund të komentoj gjë lidhur me këtë projekt. Ndërkohë, ka qenë e pamundur të kontaktohet me ministrin, Liburn Aliu e as zv/ministren, Linda Çavdarbasha.
E ka qenë vetë ministri Aliu, që më 16 korrik 2021, pati thënë se “ndërtimi i Luginës së Diellit” në veri është i paligjshëm”, pra është ndërtim pa leje.
“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është. Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij”.
“Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me cilindo ligji dhe është i financuar nga Republika e Serbisë”, ishte shprehur Aliu në seancën e Kuvendi të Kosovës më 16 korrik 2021, njofton Klankosova