
Po kërkohet dorëheqja e ambasadorit, Martin Berishajt.
Dy partitë kryesore opozitare, LDK dhe PDK edhe sot kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt pas raportimeve se i njëjti është i përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka lidhur shpërthimin e skandalit të ambasadorit kosovar në Kroaci me refuzimin e pushtetit për ta formuar Komisionin Hetimor parlamentar për energjinë.
“Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë.
Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim”, shkroi Abdixhiku ndër të tjera.
Shkarkimin e ambasadorit Berishaj e kanë kërkuar edhe nga PDK.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se kjo aferë lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet.
Sipas Ismailit, përveç dyshimeve që tashmë janë bërë publike nga gazeta sllovene, ekzistojnë informacione se është tentuar të kryhen pagesa edhe në xhirollogari ruse.
“Kemi marrë sinjale që ka pasur tentime edhe për të bërë pagesa për xhirollogari ruse. Ne nuk e dimë, për shkak se nuk jemi brenda institucioneve dhe ajo çka duam të dimë është e vërteta”, ka deklaruar Ismaili në konferencë për media duke mos dhënë më shumë informacione.
Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washingtion dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Qeveria dhe Presidenca s’janë as gjykatës e as prokuror, dhe se me rastin e ambasadorit Berishaj duhet të marrin vendim politik për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.
“Qeveria dhe presidenca s’janë as gjykatës a prokuror. Ata duhet të marrin veprime, shkarkimin e menjëhershëm të z.Berisha nga pozita si ambasador. Unë ju them me përgjegjësi që z.Berisha s’do të jetë në gjendje të ushtrojë detyrën e tij”, ka thënë Çitaku.
Në mbrojte ambasadorit Berishaj i ka dalë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se e kanë parë konferencën për shtyp të PDK-së, të cilën e cilësoi si “konferencë të turpit”.
Manxhuka ka komentuar raportimet e mediave sllovene lidhur me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas Manxhukës “asnjë medium serioz në Slloveni nuk e cituar publikimin e storjes ku përfshihet edhe ambasadori Berishaj.
Ai ka bërë lidhje të këtij raportimi me garën politike në Slloveni.
“Aktualisht gara kryesore po zhvillohet mes subjektit të ri ‘Lëvizja për Liri’ të Robert Golob dhe kryeministrit aktual Janez Jansha. Aktualisht në të gjitha matjet prin Golob, madje me këtë lidhet i gjithë sikleti i kinse aferës. Një fakt edhe më interesant bëhet që pothuajse asnjë medium serioz nuk e ka cituar publikimin e asaj ‘afere’ pos ‘TV Planet’ me pronar hungarez, për të cilin në Slloveni flitet për afërsinë e tij me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban”, ka shkruar Manxhuka.
Të lidhura me Rusinë e Serbinë, mediumet që kanë raportuar për këtë rast i konsideroi edhe deputetja e VV-së, Tinka Kurti.
Sipas saj mediat në Kosovë e përkrahin oligarkun serb që kontrollon kompaninë EFT dhe e lidhur me median sllovene që ka raportuar për skandalin e Berishajt.
“Fushata zgjedhore atje mbërriu jehonën e saj edhe në Kosovë nëpërmjet të ashtuquajturit ‘skandal’ të ambasadorit Berisha. Së pari, kjo ngjarje atje po trajtohet fare pak dhe me dilemën si sulm zgjedhor i kandidatit Jansha ndaj favoritit Golobit. Së dyti, atje është më e qartë konkurrenca kryesore në sektorin e energjisë. E thjeshtë sa kjo ndarje: kompania shtetërore sllovene GEN apo e ajo oligarkut serb EFT. Dikush do të thoshte se mediat në Kosovë e përkrahin të parën. Por jo, po del që janë me oligarkun serb. Në kohën e mungeseve të sanksioneve me Rusinë kjo ka kuptime shtesë”, ka shkruar Kurti.
Edhe deputeti i tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi e ka kritikuar qasjen e opozitës lidhur raportimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
Abrashi tha se është qeveria Kurti ajo e cila nuk e ka lejuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa marrëveshje dhe se ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Deputeti i VV-së në një postim në “Facebook”, tha se opozita po thotë se kjo qeveri ka lidhje me Serbinë dhe Rusinë.
“Qeveria: 1 vjet pa koncesione ndaj Serbisë. Nuk lejon mbajtjen e referendumit serb në Kosovë. Nuk lejoi që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë të mbahen pa marrëveshje. Vendosë sanksione ndaj Rusisë. Solidarizohet me popullin e Ukrainës. Opozita: Kjo qeveri ka lidhje me Serbinë dhe Rusinë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Gjatë ditës së djeshme për rastin e ambasadorit Berishaj është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
I pyetur për raportimin e skandalit në Slloveni, ku pretendohet se ambasadori ka qenë i përfshirë, Kurti tha se Berishaj do ta padisë për shpifje mediumin slloven.
“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin, e po ashtu ambasadori Berishaj me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, deklaroi Kurti.
Vetë Berisha ka mohuar këto akuza duke paralajmëruar padi mediumin slloven që raportoi në lidhje me këtë aferë.